Ekipet shqiptare drejt Europës: Tirana tronditet pas Fenerit, Partizani ende “kantier”!

Afron korriku, pra ndeshjet ndërkombëtare, dhe gjithçka duket si “kantier ndërtimi”. Tirana e Partizani ende nuk mund të thuhet se janë gati për ndeshjet, përkatësisht në Champions dhe Ligën e Konferencës, me ndryshme të shumta në përbëtrje, ndërsa vazhdojnë fazën përgatitore, bardheblutë në Turqi dhe të kuqtë në Slloveni. Trajneri i Tiranës, Orges Shehi, padyshim që u shqetësua nga humbja 0-4 me Fenerbahçen në ndeshjen e fundit, ndonëse flitet për një miqësore. Kryeqytetasit luajtën me formacionin e tyre më të mirë të mundshëm, përfshi edhe mesfushorët titullarë, Xhixhën e Seferit, por ishin të pafuqishëm përballë turqve, ndaj edhe duhet të përgatiten më mirë, apo edhe që të marrin përforcime. Flitet për mbrojtësin Domgjoni, që ka qenë më parë pjesë e bardhebluve, ndërsa dëshira është afrimi i mesfushorit që ka qenë tek Shqipëria, Emanuel Ndojit, i cili vjet ishte me Breshën në Serinë B të Italisë, të paktën kështu informon “Panorama Sporti”. Shqetësim kryesor për momentin është mbrojtja dhe flitet për disa alternativa, mes të cilëve edhe lojtarë që kanë veshur fanelën kuqezi si Ajeti apo Mihaj.

Partizani vazhdon përgatitjet në Slloveni, dhe miqësoret e deritanishme kanë qenë pozitive, me fitoren ndaj Murës e barazimin me Jadranin e Dekanit, që të dy ekipet sllovene. Trajneri Mehmeti ka pasur shumë ndryshime në ekip, me largime të mëdha, ndërsa janë afruar portieri Rexhepi, mesfushorët Hoti, Romero e Telushi, mbrojtësi Atanaskoski, si dhe sulmuesi Cvetanovski. Herald Marku largohet nga të kuqtë dhe shkon tek Vllaznia. Problem më vete është fakti që kongolezi Matondo nuk mundi të ishte me ekipin në fazë përgatitore për shkak të problemeve me dokumentacionin, dhe po stërvitet me Partizanin U19. Edhe pse është llogaritur si lojtar i rëndësishëm, trajneri nuk ka pasur asnjë mundësi që ta integrojë me ekipin, ndërsa ndeshjet europiane afrojnë.

Sfidanti.al