Marina Granovskaja, “Zonja e Parë” e futbollit largohet nga Çelsi

Për të dihet shumë pak, thjesht që ka përfunduar Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Moskë në 1997, që punon prej 25 vitesh me Roman Abramoviçin, që nisi të ishte përfaqësuese e pronarit të Çelsit në 2010, u bë pjesëtare e bordit të klubit në 2012 dhe shefe ekzekutive në 2013. Marina Granovskaja është cilësuar disa herë si gruaja më e fuqishme e futbollit, si “Zonja e Parë” e këtij sporti dhe si një nga 5 femrat më të forta në sportin botëror (Forbs, 2018). Sot, shefja e madhe e Çelsit do të largohet ashtu siç bëri edhe miliarderi rus Abramoviç që shiti aksionet tek miliarderi amerikan Tod Boehli. Natyrisht, me emrin dhe përvojën që ka, ajo nuk do të mbetet pa punë ndërsa zotëron edhe nënshtetësinë kanadeze. Natyrisht, askush nuk është i pazëvendësueshëm dhe Çelsi do të gjejë një tjetër njeri “adapt” për punët, por gjithsesi mungesa e Granovskajës do të ndihet, ndërsa gruaja mbeti misterioze gjatë gjithë karrierës duke mos dhënë asnjë intervistë televizive apo mediatike në përgjithësi, e duke mos pasur lidhje me gazetarët. Nuk ka video të sajat në rrjetet sociale, ndërsa fotot numërohen me gishtat e dorës.

Sfidanti.al