Kërri nuk është shumë poshtë mesatares së Lebronit, por mjaft larg Xhordanit!

Në karrierën e tij nuk ka shënuar një numër tepër të madh pikësh dhe ndodhet vetëm në vendin e 47-të të renditjes së shënuesve më të mirë për të gjitha kohët. Stefën Kërri ka arritur deri tani 20 026 pikë në sezonin e rregullt në NBA, shumë më pak sesa 38 387 pikët e legjendës Karim Abdul-Xhabar të Lejkërsave. Gjithsesi, ylli i Golden Stejtit e ka bërë këtë në shumë pak ndeshje, vetëm 826, sepse ka qenë shpesh i dëmtuar dhe mesatarja e tij është 24.3 pikë për ndeshje. Në krahasim me të, Xhabari ka luajtur gati dyfishin, ndërsa po ashtu shumë më tepër ka zhvilluar Lebron Xhejmsi, me plot 1366, ndërsa ka shënuar 37 062 pikë duke qenë në vend të dytë për të gjitha kohët. Mesatarja e “Mbretit të Basketbollit” është 27.1 pikë për ndeshje, pra jo me ndonjë diferencë shumë të madhe me Kërrin. Ndryshon puna me Majkëll Xhordanin, pasi legjenda e Bullsave ka 32 292 pikë në vetëm 1072 ndeshje, që do të thotë 30.1 pikë për ndeshje dhe që është mesatarja më e lartë në NBA për të gjitha kohët.

Sfidanti.al