Tifozët ukrainas: Kombëtarja jonë luan për 44 milionë patriotët tanë!

Kur shuhen jetë, futbolli thuhet se nuk ka kuptim, por gjithsesi vlen. Këtë e provuan futbollistët e kombëtares së Ukrainës që arritën një sukses të madh, duke i dhënë të paktën një kënaqësi dhe një motiv krenarie bashkëatdhetarëve të tyre. Ukraina fitoi 3-1 ndaj Skocisë në stadiumin “Hampden Park” të Gllazgout, duke kaluar gjysmëfinalen e duke arritur në finalen e plej ofit të Botërorit që do ta luajnë ndaj Uellsit. Nëse fitojnë në kryeqytetin uellsian, Kardif, këtë të diel, ukrainasit shkojnë në finalet e Kupës së Botës që luhen në nëntor në Katar. Golat e Jarmolenkos, Zinçenkos dhe Dovbikut bënë diferencën në një triumf të merituar në Skoci. “Ndershmërisht, unë nuk kam asnjë emocion, – tha trajneri Petrakov pas ndeshjes, – të gjitha emocionet i lashë në fushën e lojës. Kjo fitore nuk ishte për mua, madje nuk ishte as për lojtarët. Kjo fitore ishte për vendin tonë. Ky është një sukses i madh për Ukrainën”. Tashmë, futbollistët ukrainas do të përpiqen të bëjnë hapin e fundit, edhe pse nuk do të jetë e lehtë. Ata po luajnë tani sepse plej ofi i përcaktuar për në mars u shty për shkak të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës në 24 shkurt. Tifozët shpresojnë shumë që ekipi i tyre të shkojë në Katar. “Futbolli duket se nuk ka shumë rëndësi kur njerëzit janë duke vdekur, – thotë Stepan Luçka, kryetari i shoqatës së tifozëve ukrainas, – gjithsesi, sporti dhe futbolli mund të luajnë një rol të rëndësishëm për të ndihmuar vendin tonë. Lojtarët tanë luftojnë për 44 milionë ukrainas”. Fitorja e Zinçenkos e Jarmolenkos me shokë nuk do t’i jepte fund luftës, por gjithsesi do të ishte një mesazh në favor të Ukrainës.

Sfidanti.al