Konte: Nuk dua ta besoj se lojtarët e Lesterit ia kanë bërë këtë Ranierit

Antonio Konte është një nga ata trajnerë që me një nervozizëm të madh e priti lajmin për shkarkimin, ditët e fundit, të Klaudio Ranierit si trajner i Lester Sitit, por më shumë timonierin e Celsit po e shqetësojnë zërat që kanë dalë në opinionin publik dhe, sipas të cilëve, këtë gjë bashkatdhetarit të tij ia kanë bërë lojtarët e Lesterit. Një numër jo i vogël tabloidësh anglezë ka publikuar lajmin sensacional se ishin disa lojtarë, nga më kryesorët tek ky ekip i Premier Ligës, ata që ia “kanë ngulur thikën në shpinë” Ranierit, duke i kërkuar kryesisë së klubit zëvendësimin e tij si trajner dhe duke e zemëruar si rrallë herë Konten që bëri një koment të ashpër lidhur me këtë temë:

“Unë nuk jam ai tip trajneri që i ndjek shumë lajmet, por, sidoqoftë, e gjithë kjo që i ndodhi Ranierit, tregon për një mungesë respekti ndaj një trajneri të nderuar të tillë. Lojtarët, në asnjë mënyrë, nuk duhet të jenë ata që të vendosin se cili trajner duhet të shkarkohet ose të vendoset në krye të ekipit. Nëse, me të vërtetë, ka ndodhur ajo, për të cilën po flitet, atëherë, ky klub qenka bërë për të ardhur keq. Ma do mendja se duhet të jetë mjaft zhgënjyese për një trajner që të mendojë se është tradhtuar nga lojtarët e vet dhe se nga ata varet e ardhmja e tij”, vuri në dukje Antoni Konte i pezmatuar.

sfidanti.al