Pse Dallasi humbi ndaj Golden Stejtit? Donçiç nuk ia del dot kundër 7 kundërshtarëve!

Shtatë lojtarë shënuan 104 pikë dhe Golden Stejti nuk e pati problem të fitonte ndeshjen e parë finale në Konferencën Perëndimore ndaj Dallasit në San Francisko. Kjo është historia e përmbledhur në një fjali e sfidës që Golden Stejt Uorriors fitoi ndaj ekipit nga Teksasi me shifrat e thella, 112-87. Përballë tyre ishte një ekip që udhëhiqej nga Luka Donçiç dhe që sapo kishte eliminuar skuadrën më të mirë të sezonit të rregullt në NBA, Feniksin, duke treguar gjithë potencialin, klasin dhe ambicien. Gjithsesi, këtë herë nuk pati histori, të paktën në ndeshjen e parë. Golden Stejti e mbuloi nga afër superyllin slloven që shënoi 20 pikë, kapi 7 topa në tabela e shërbeu 4 asistë dhe e humbi topin 7 herë. Ai gjuajti me saktësi vetëm 33 për qind nga loja! Nga ana tjetër, Golden Stejti ishte një ekip i vërtetë ku 7 basketbollistë shënuan 104 pikë: Kërri 21, Uigins e Pul nga 19, Tompson 15, dhe Grin, Lunej e Porter nga 10. Me gjasë, Dallasi i bëri nder të madh Golden Stejtit duke eliminuar Feniksin dhe tani kalifornianët mund të jenë favoritë për një tjetër finale të NBA-së, pse jo edhe për një tjetër titull.

Sfidanti.al