Festimet e tifozëve e shprehën qartë gjithçka. Për qytetin e madh të Frankfurtit dhe për gjithë Gjermaninë, fitorja e Ligës së Europës ishte një ngjarje e madhe. U desh Ajntrahti që një ekip gjerman të fitonte në kontinentin e vjetër përveç Bajernit, në 20 vitet e fundit. Tifozët nuk u përmbajtën në Sevilje, në stadiumin e tyre në Frankfurt, si dhe nëpër rrugë e sheshe, ndërsa skuadra e tyre e zemrës fitoi titullin e dytë europian në histori. Po ashtu, Liga e Europës fitohet nga gjermanët pas plot 25 viteve. Finalja ndaj Rejnxhërsit skocez në Spanjë ishte tepër e fortë dhe u vendos vetëm nga penalltitë. Pas 120 minutave që përfunduan 1-1, u desh gjuajtja e 11-metërshave dhe gabimi i vetëm u bë nga skocezët.
Jehona mediatike ishte e madhe. “Çmenduri e Ajntrahtit”, – shkruan revista “Sport Bild”, – një finale e skajshme e fituar me gjak! Frankfurti ia del 25 vjet pas Shalkes”. “Një festë e futbollit të dikurshëm, – komenton e përditshmja “Frankfurter Algemajne Cajtung”, – Frankfurti dhe Rejnxhërsi janë të vegjël në krahasim me miliarderët, por ka vlera të tjera përveç parave!”
“Ky sezon nisi i vështirë për ne, – tha trajneri Glasner, – por lojtarët besuan në veten e tyre, ata besuan tek ne. Kjo tregon se çfarë karakteri dhe se çfarë mentaliteti kanë lojtarët tanë. Nuk jam i habitur nga suksesi, pasi e di se çfarë futbollistësh kam në ekip. Edhe tifozët tanë ishin të jashtëzakonshëm, u dëgjuan në stadium më shumë se tifozët kundërshtarë”. Frankfurti do të jetë sezonin e ardhshëm në Champions, aty ku Gjermania do të ketë 5 ekipe.
Sfidanti.al