Me Asllanin, Dibalën e Zapatën, Interi beson më shumë tek titulli!

Është thuajse e vendosur. Pavarësisht se nuk ka akord mes klubeve dhe parakontratë me futbollistin, por gjithsesi mund ta themi me plot gojën se Kristjan Asllani do të jetë i Interit sezonin e ardhshëm. Trajneri Simone Inzagi dhe drejtuesi Bepe Marota e shohin mesfushorin e kombëtares shqiptare si një mbështetje të fuqishme për Marcelo Brozoviçin, apo siç thonë në Itali, një “zëvendës” të kroatit. Asllani ka bërë shumë përshtypje gjatë vitit 2022, duke qenë titullar për Empolin e duke shënuar ndaj Interit në “San Siro” në Serinë A, ndërsa mund të bëjë rolin e organizatorit, por edhe atë të lojtarit pas sulmuesit kryesor, si dhe një vrapues i lindur. Klubi toskan e vlerëson kartonin e mesfushorit në 15 milionë euro, e natyrisht që do të ketë bisedime, por zikaltërit nuk mund të presin shumë sepse në garë janë edhe Napoli apo Milani.

Nuk flitet për rrogën e Asllanit, por padyshim që mund t’i ofrohet jo më pak se 1.5 milionë euro në sezon, të paktën 10 herë më shumë sesa fiton sot. Ky sezon ka qenë një sukses i vërtetë për djaloshin nga Elbasani, që vetëm disa muaj më parë luante për ekipin e të rinjve të Empolit, ndërsa tani pritet të shkojë në njërin nga 3 skuadrat më të mëdha të Italisë. Interi ka në plan edhe përforcime të tjera përveç Asllanit. Paulo Dibala është objektivi kryesor për të ndihmuar Lautaro Martinezin në sulm, ndërsa argjentinasi përfundon kontratën me Juventusin. Po ashtu, një përforcim për sulmin, me Duvan Zapatën e Atalantës që mund të zerë vendin e Aleksis Sançezit. Me Asllanin, Dibalën e Zapatën, Interi beson se mund ta fitojë titullin sezonin e ardhshëm.

Sfidanti.al