Përfundoi 2-1 në “Marasi” dhe Xhenoa i dha shpresë vetes për të mbijetuar në Serinë A, duke treguar se edhe në kampionatin italian “Zotat” janë duke u rrëzuar. Juventusi hyri në ndeshjen e radhës në “Luixhi Ferraris” me synimin për të fituar dhe për të provuar të merrte vendin e tretë, ndërsa ishin “djegëse” fjalët e zv. presidentit Pavel Nedved, që u hoqi veshin sulmuesve. “Sezonin që vjen presim më shumë nga sulmuesit tanë, duke nisur nga Kean”, – tha çeku. Përgjigje dha ai që do të largohet, Paulo Dibala, që shënoi golin e avantazhit për “zebrat”, por që nuk mjaftoi për asgjë, përveçse për ta barazuar argjentinasin me Roberto Baxhon në kuotën e 115 golave për bardhezinjtë. Përmbysja ndodhi në fund, në 87’ barazoi Gudmunson, ndërsa në minutën e 6-të shtesë ishte ish-juventini Krishito që shënoi golin e fitores për Xhenoan me penallti. Për fat, Juvja është larg nga vendi i 5-të dhe kualifikimi në Champions nuk rrezikohet, por sulmuesit si Morata e Vlahoviç nuk e justifikuan veten sërish.
Sfidanti.al