Ende nuk mund të thuhet se është kthyer skuadra e madhe e dikurshme, siç thonë anglezët “ajo e kohëve të vjetra të bukura”. Liverpuli nuk është ende ekipi i viteve 70-të e 80-të, kur dolën në finalen e Championsit në 1977, 1978, 1981, 1984 dhe 1985, pra pesë herë në 8 vjet duke e fituar trofeun 4 herë. Gjithsesi, të kuqtë e Jurgen Klopit mbërritën finalen për herë të tretë që nga viti 2018, kur u mundën në Kiev nga Reali dhe pastaj fituan në Madrid në 2019 ndaj Totenhemit. Kjo është finalja e 10-të për anglezët, që vazhdojnë të shpresojnë për 4 trofe këtë sezon, pra edhe për Championsin, për Premier Ligën dhe Kupën e Anglisë, duke pasur fituar Kupën e Ligës.
Sidoqoftë, ndaj Vijarrealit nuk ishte aspak e lehtë edhe pse ishte e merituar. Spanjollët kryesuan 2-0 në pjesën e parë, duke barazuar shifrat e përballjes gjysmëfinale. Golat ishin nga Dia në 3’ dhe Kokelen në 41’. Pas pushimit, Klopi u bëri një “dush të ftohtë” yjeve të tij, si dhe hodhi në fushë Luis Diazin në vend të Diogo Zhotasë. Lëvizja ishte vendimtare dhe kolumbiani ndryshoi ndeshjen. Fabinjo, vetë Diaz hhe pastaj Mane shënuan për përmbysjen 3-2 dhe rezultatin e përgjithshëm 5-2. Liverpuli mbajti topin 56 për qind, diçka mjaft domethënëse në Spanjë, pati 15 gjuajtje drejt portës ndaj 5 të Vijarrealit, si dhe 5 në kuadrat ndaj vetëm 2 të vendasve (që ishin dy golat).
Vijarreal-Liverpul 2-3 (Dia 3’, Kokelen 41’, Fabinjo 62’, Luis Diaz 67’, Mane 74’)
Vijarreali (4-4-2): Ruji, Fojth, Albiol (Orie 79’), Pau Torres, Estupinjan (Trigeiros Munjoz 79’), Lo Selso, Pareho, Kapu, Kokelen (Pedraza 68’), Gerard Moreno (Çukueze 68’), Dia (Alkaser 80’).
Liverpuli (4-3-3): Alison, Aleksandër-Arnold, Konate, Van Dajk, Robertson (Cimikas 80’), Keita (Henderson 79’), Fabinjo (Milner 84’), Tiago Alkantara (Xhons 80’), Salah, Zhota (Luis Diaz 45’), Mane.
Sfidanti.al