Feniksi i mbijeton gjenisë së Luka Donçiçit, skuadra numër 1 e NBA-së tremb rivalët!

Jo më kot ishte ekipi më i mirë i sezonit. Po ashtu, nuk është rastësi që kanë fituar 10 herë radhazi ndaj këtij rivali, përfshi edhe sezonin e rregullt. Feniksi e nisi më së miri raundin e dytë të plej ofit në NBA, me suksesin 121-114 ndaj Dallasit, duke hedhur hapin e parë drejt finales së Konferencës Perëndimore. Udhëhequr nga Devin Buker me 23 pikë, 9 topa në tabela e 8 asistë, nga Deandre Ajton me 25 pikë dhe nga Kris Pol që pati 19 pikë, skuadra nga Arizona dominoi përballjen shumë më tepër sesa e tregon rezultati. Vendasit fituan betejën nën kosha me 51 topa të kapura në tabela ndaj 36 të miqve.

Kjo lojë kolektive ishte shumë për t’u përballuar nga ekipi nga Teksasi, pavarësisht shkëlqimit të Luka Donçiçit. Ylli nga Sllovenia shënoi 45 pikë dhe iu afrua një tripëll dabëlli me 12 topa në tabela e 8 asistë, por një njeri i vetëm nuk mund dot një skuadër. Nuk mjaftoi as Maksi Kleberi me 19 pikë, dhe trajneri i Dallasit, Kid, ftoi edhe basketbollistët e tjerë që të japin kontributin e tyre në ndeshjen e dytë. Feniksi ishte numri 1 gjatë fazës së rregullt në NBA, me 64 fitore, duke vendosur rekordin e klubit, dhe shumëkush e shikon si favorit për të fituar titullin. Ndeshja e dytë luhet sërish në Feniks.

Sfidanti.al