Ivan Balliu nuk pranon ta humbë ndeshjen me Barcelonën: Një skandal!

Nuk mundi të luante asnjë minutë në këtë ekip. Ivan Balliu vërtet u formua si lojtar tek Akademia e Barcelonës, veçse karriera e tij vazhdoi në skuadra të tjera. Në 24 prill mbrojtësi i kombëtares ka shansin për t’u kthyer në stadiumin “Kamp Nou”, veçse një karton i kuq që mori fundjavën e kaluar, mund t’ia prishë ëndrrën. Balliu u përjashtua në ndeshjen e ekipit të tij, Rajo Vajekano, në fushën e Alaveshit në La Ligën e Spanjës, dhe sipas mediave spanjolle, ai mund të dënohet me dy ndeshje pezullim, që do të thotë se do të humbasë ndeshjet ndaj Espanjolit dhe Barcelonës.

“Do të ishte një skandal, – reagoi Balliu në Tuiter, – faulli im ishte krejtësisht i pavullnetshëm. Ishte një lëvizje instinktive pasi mora një goditje në gju”. Balliu ka qenë një nga zbulimet në kampionatin spanjoll këtë vit. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare po luan në çdo ndeshje si titullar për Rajon, i vlerësuar si një nga më të mirët e ekipit. Ai ka arritur të shënojë edhe gol, si dhe të japë asiste për të shënuar shokët, ndërsa ka ndihmuar skuadrën në sulm e në mbrojtje. Kjo formë bëri që Balliu të kthehej në kombëtare në moshën 30-vjeçare. Gjithsesi, ai do të dëshpërohej shumë nëse nuk do të mund të luante në Barcelonë, në atë që e cilëson si shtëpinë e tij të parë.

Sfidanti.al