Pas 3 vjetësh si “çifuti në shkretëtirë” Kukësi më fund kthehet në shtëpi!

Punimeve po u jepet dora e fundit. Një tjetër stadium futbolli është gati të hapet në Shqipëri, ndonëse kjo nuk do ta ndryshojë shumë gjendjen me infrastrukturën në vend. Skuadra e Kukësit do të kthehet në shtëpi pas gati 3 vjetësh, dhe ndeshja e parë do të jetë në 23 prill ndaj Laçit në Abisnet Superligë. Kjo do të thotë pas vetëm 6 ditëve, ndërsa fushës po bëhen shërbimet përmbyllëse. Po shenjohen vijat kufizuese, ndërsa po korret bari në lartësinë e duhur. Impianti ka qenë gati që në fund të vjeshtës së kaluar, por klubi kuksian dhe bashkia e qytetit nuk deshën të rrezikonin.

Tapeti i barit donte kohën e vet për t’u lidhur, dhe sidomos në kushtet e dimrit në Kukës kjo do të kërkonte një periudhë më të gjatë. Frika ishte se mund të ndodhte e njëjta gjë si me fushën e “Arenës Air Albania” që pati probleme të mëdha. Për këtë arsye u prit ardhja e pranverës. Kukësi do të ketë më në fund mundësi që të luajë në stadiumin e vet, aty ku ka rreth 3 vjet që nuk luan, duke qenë vazhdimisht në fushë neutrale. Punimet prej gati 3 vjetësh besohet se kanë kushtuar deri në 10 milionë euro.

Sfidanti.al