Dy fitore e dy humbje në 2022, çfarë po ndodh me Novak Gjokoviçin?!

Tenisti serb, që për çudi vazhdon të jetë numri 1 i botës, po kalon një vit me të vërtetë të vështirë. Novak Gjokoviç u mund nga spanjolli Davidoviç në Masters 1000 ATP në Montekarlo, duke qenë hija e vetvetes, sidomos në setin e tretë që e humbi 1-6. “Nuk i ndjeja këmbët, pra nuk mund të bëja dot asgjë, – tha Nole pas disfatës, – bashkë me grupin tim të trajnerëve do të punojmë për të gjetur shkakun. Shpresoj të jetë më mirë javën që vjen në Beograd”. Çfarë po ndodh me tenistin serb, dhe çfarë e shqetëson atë më shumë? Problemi kryesor për 34-vjeçarin është se kufizimet për shkak të mosvaksinimit nuk e kanë lënë të zhvillojë ndeshje në 2022. Ai ka vetëm 4 të tilla, me dy fitore e 2 humbje, ndaj edhe nuk ka ritmin e duhur, as sigurinë e zakonshme. Me një nivel të tillë do ta ketë shumë të vështirë në “Rolan Garos”, por mund të bëhet gati për Uimbëlldonin.

Sfidanti.al