Armiqësitë janë përtej futbollit, madje shumë kohë para tij. Një Gllazgou Rejnxhërs-Sëlltik është jo vetëm derbi më i rrezikshëm në botë, por edhe momenti ku shpesh shfaqen konfliktet e vjetra në Skoci. Në qytetin e ndarë më dysh nga dasitë kombëtare, politike e fetare, Rejnxhërsi përfaqëson rendin britanik, ndërsa Sëlltiku jehonën e dikurshme të keltëve të vjetër, të shtypur nga perandoria shekullore. Nuk është për t’u habitur që këtë fundjavë tifozët e Rejnxhërsit hodhën shishe qelqi në fushë duke dëmtuar portierin e Sëlltikut, anglezin Xho Hart. Ish-gardiani i Sitit dhe i Anglisë, pati nevojë për fashim të kokës së gjakosur, ndërsa trajneri i Sëlltikut, Postekoglu, u shpreh se edhe një tjetër ishte lënduar.
“Një zhgënjim i madh, – tha ai, – në fushë ishte një derbi i vërtetë, atmosfera ishte e mrekullueshme, dhe të dyja skuadrat deshën fitoren. Nuk e di se çfarë duan këta njerëz që i bëjnë këto gjëra. Një ndihmësi im u godit dhe u deshën qepje në kokë, por tani është mirë”. Postekoglu mund të mos e dijë, por ata që e njohin Gllazgoun e kuptojnë shumë mirë, dhe e dinë se ajo që ndodhi të dielën është diçka fare e vogël në krahasim me atë që ngjarë më parë. Që nga koha e filmimeve bardhezi, e deri vonë, dhuna e përleshjet kanë qenë të shpeshta. Beteja në stadium krijon ndoshta po aq sfidë sa marshimi tradicional i protestantëve në një qytet ku gjysma është katolike. Përsa i përket ndeshjes, Sëlltiku fitoi në stadiumin e Rejnxhërsit, “Ajbroks Park” me shifrat 2-1 duke hedhur një hap të madh drejt fitores së titullit në Skoci.
Sfidanti.al