Filadelfia fiton thellë edhe pse Hardeni shënon vetëm 12 pikë!

Diferenca në parket ishte e madhe dhe suksesi e reflektoi plotësisht këtë gjë. Filadelfia triumfoi në fushën e vet ndaj Sharlotës me shifrat 144-114, pra me 30 pikë diferencë, edhe pse që të dy yjet kryesorë nuk është se bënë gjëra të jashtëzakonshme. Xhejms Harden madje shënoi vetëm 12 pikë, ndonëse ndihmoi shokët me 13 asiste e po ashtu kapi 8 topa në tabela. Zhoel Embijd shënoi 29 pikë, kapi 14 topa në tabela dhe shërbeu 6 asistë, duke treguar se po bëhet më i kompletuar si lojtar, ashtu si edhe rivali i tij i madh, Janis Adetokumbo. Për Filadelfian shënuan të gjithë, Harrisi pati 23 pikë, si dhe 4 basketbollistë të tjerë patën 10 pikë e lart. Kjo nuk i dha asnjë mundësi Sharlotës që të konkurronte, ndërsa skuadra verilindore amerikane është në vendin e 4-ët në Lindje, vetëm 2 humbje larg vendit të parë.

Sfidanti.al