Nuk është më ai shënuesi i jashtëzakonshëm që bënte duel me Lionel Mesin për një karrierë shumë të gjatë. Kristiano Ronaldo i ndjen 37 vitet e moshës, por gjithsesi, superylli portugez nuk është e lehtë që të pranojë dorëzimin. Legjenda me numrin 7 shënoi 3 herë për Mançester Junajtidin, në një fitore tepër të vështirë dhe emocionale në “Old Traford” ndaj Totenhemit, me shifrat pikërisht 3-2. Ronaldo shënoi duke e mbajtur Junajtidin gjithnjë në avantazh, edhe pse Spërsat u përgjigjën dy herë me anë të Harri Kejnit dhe autogolit të Megajerit.
Me këtë 3-golësh, Kristiano u bë shënuesi më i mirë i historisë së futbollit botëror me 807 gola, dy më shumë sesa ish-rekordmeni Jozef Bican. Futbollisti çek e kishte rekordin për një kohë shumë të gjatë, por si që të gjithë rekordet edhe ai do të thyhej një ditë. Ndoshta CR7 mund të mos fitojë tituj këtë sezon, as Premier Ligën, as Championsin (kësaj nuk i dihet) apo Kupën e Ligës, madje mund të mos kualifikohet për në Champions sezonin tjetër, por gjithsesi mbetet aq i madh sa të vendosë rekorde e të hyjë në histori.
Sfidanti.al