Gjysma e Serisë A dëshiron Bajramin, por çmimi do të shkojë si ai i naftës!

Interesimi po bëhet gjithnjë e më i madh. Nedim Bajrami po kthehet dalë nga dalë në një nga futbollistët më të kërkuar në Serinë A, dhe në verë sipas të gjitha gjasave do të ndryshojë skuadër. Edhe Roma e Zhoze Murinjos dhe Atalanta iu shtuan listës së admiruesve të mesfushorit të kombëtares shqiptare. “Roma mendon për Bajramin e Empolit, – shkruajnë mediat pranë klubit, – edhe Juventusi e Milanit mendojnë për të!” Janë të paktën 5 apo 6 klube në Serinë A që duan mesfushorin 23-vjeçar, dhe janë edhe Napoli e Lacio, përveç Juves e Milanit.

Bajrami po zhvillon një sezon të shkëlqyer në elitën e futbollit italian, edhe pse u kritikua në sfidën e fundit në fushën e Xhenoas. Lojtari kuqezi ka 5 gola e 6 asistë në 26 ndeshje në Serinë A, si dhe ka realizuar 9 rrjeta gjithsej këtë sezon, duke përfshirë edhe Kupën e Italisë. Empoli, sipas mediave italiane, do të kërkojë 10 milionë euro për kartonin e 23-vjeçarit, por interesimi gjithnjë në rritje mund ta ndryshojë vlerën. Nëse Bajrami vazhdon në këto nivele, ndoshta për të do të duhet të paguhen 50 apo 100 për qind më shumë.

Sfidanti.al