Fjalët e thëna aq shumë herë, do të përsëriten. Do të thuhet se në futboll nuk fitohet me “mercenarë” në kuptimin që nuk mjaftojnë vetëm paratë për të blerë trofetë. Paris SG e vërtetoi edhe një herë këtë aksiomë, ndërsa u eleminua nga Championsi pikërisht në fushën e asaj skuadre që mban “kurorën mbrëtërore” dhe të cilën dëshironte ta zëvendësonte atje lart në “Olimp”. Reali fitoi 3-1 në “Bernabeu”, në një tjetër mbrëmje nga ato të përmbysjeve të mëdha, duke “fshirë” humbjen 0-1 në Paris, e duke treguar se përvoja dhe organizimi “si një trup i vetëm” vlen më shumë sesa gjithë yjet e botës të bërë bashkë.
PSG humbi shansin tjetër për të fituar Championsin, dhe ndoshta edhe shpresat për të mbajtur Kilian Mbapenë. Kampioni e botës me siguri e ka kuptuar se cili është vendi ku mund të bëhet i madh dhe pritet që shpejt të firmosë kontratën me Realin. Trajneri Maurisio Poçetino edhe ai duket se mund të largohet, i lodhur duke qenë i kushtëzuar për të luajtur gjithmonë me yjet në sulm, dhe për të qenë (siç thoshte Tomas Tuhel) “ministër i marrëdhënieve me njerëzit” sesa trajner. Kur PSG nuk kishte Nejmarin në ndeshjen e parë, luajti shumë më mirë, këtë herë që braziliani plotësoi treshen e sulmit, u dobësua mesfusha. Edhe pse PSG mbajti më shumë topin dhe bëri më shumë pasime, Reali pati më shumë gjuajtje, dhe kryesore më shumë gola. Francezi veteran Benzema fitoi duelin me francezin e ri, Mbape, duke qenë ata autorët e golave: 3-1.
Reali (4-3-3): Kurtua, Karvahal (Lukas Vaskez 66’), Militao, Alaba, Naço, Valverde, Kros (Kamavigna 58’), Modriç, Asensio (Rodrigo 66’), Benzema, Vinisius.
Paris SG (4-3-3): Donaruma, Hakimi (Draksler 88’), Markinjos, Kimpembe, Nunjo Mendes, Danilo Pereira (Di Maria 81’), Paredes (Geje 79’), Verrati, Mesi, Nejmar, Mbape.
Sfidanti.al