Ta gëzojmë stadiumin “Air Albania”, ishalla mbetet akoma më i bukuri në Ballkan ! E pagëzuam si “shtëpia e futbollit” dhe po e shndërrojmë me zell si “Shtëpinë e dhunës”. Tym nxjerr nga koka futbolli ynë , edhe kur luajnë zyrtarët për zgjedhjet në Asamble, tym të zi dhe stola të shkulur, madje dhe “koka të pjekura” futbollistësh nga fishekzjarret , edhe në ndeshjen e Vitit . Një ndeshje që vërteton një dallaver shqiptar që lidhet me lojën , me pushtetin dhe me dhunën: kur futbolli zbret në fushë, sidomos kur e ka emrin Derbi, pushtetin e dhunës ia dhurojmë turmave të tifozëve, kur luhet me votwn në Asamble, atje ku lind dhe nga ku stërmenaxhohet dhuna, pushteti shkon vetëm tek njëri, tek i zoti i ..dhunës!
Le të kthehemi tek Derbi, tek gënjeshtra jonë e dashur, e cila i jep jetës sonë një çmim shumë qesharak kur e pagëzojmë : Ndeshja e jetës! Pale kur na gënjeu mëndja dhe thamë se kjo big-ndeshje do të shërojë, të paktën për 90 minuta, plagët që kemi marrë gjatë luftës..Superiore! Akoma del tymi i zi nga “Air Albania”, po për sytë e shefave, të politikës dhe topit, duket si tym i bardhë, që del nga “oxhaku i kullës” meqë do të na “dhurojnë” (mu tek vatra e luftës) një finale europiane, siç është ajo e Konferencë Ligës. Dhe thonë se atë ditë do të na vaksinojnë kundër dhunës, sepse “Air Albania”mund të ketë dështuar disa herë si stadium, por si spital ..ka “fituar betejën” me Covidin
Po ç‘ishte ky Derbi, nëse do të shikoje nga fusha dhe jo nga shkallët ? Gati shterpë në lojë dhe rastet me pikatore, një ndeshje ku golat ishin djegur herët , para se të ndizeshin flakët. Derbi na doli një ndeshje pa shtyllë kurrizore, madje ku trazohen dhe rolet më klasikë të kësaj qasje me top : ishin futbollistët që shikonin nga tifozët dhe jo tifozët nga futbollistët!
Nga Anglia na mësuan leksionin se dhuna luftohet me dhunë, kurse në Shqipërinë e sotme, tamam tamam në Shqipërinë e federalistëve të FSHF-së, dhuna është një mall që kalon pa doganë, dhe që shitet nën dorë në formë gjobash, sipas klientit.Sa më shumë stola të shkulen, sa më shumë tymnajë të dalë nga “furrnalta” e Air Albania-s, sa më shumë koka futbollistësh apo arbitrash të goditen, aq më shumë do të shitet “droga e futbollit” ..malli dhunë!
Sfidanti.al