Ky ishte një nga titujt e mediave spanjolle, pikërisht “Markës” që vlerësoi skuadrën e trajnerit Ksavi Hernandez se po kthehet në traditën e Johan Krujfit, Pep Guardiolës apo Luis Enrikes. Fitorja 4-0 ndaj Bilbaos në “Kamp Nou” ishte pikërisht e asaj trashëgimie, ndërsa fitore të rëndësishme me shumë gola janë arritur edhe ndaj Atletikos së Madridit, Valencias dhe Napolit. Ndaj Bilbaos shkëlqeu Pedri në mesfushë, po ashtu Gavi e Buskets, Arauho e Pike në mbrojtje, por sidomos Obamejang dhe Dembele. Sulmuesi afrikan shënoi sërish dhe po cilësohet “blerja më e mirë dimërore në historinë e Barcelonës”. Usman Dembele po ia shpërblen besimin trajnerit Ksavi, ndërsa luajti vetëm nja 30 minuta duke shënuar një gol të madh, e duke shërbyer asistet për De Jongun dhe Depain. Me këtë fitore, Barça është në vend të katërt në La Liga me 45 pikë, po aq sa Atletiko e Madridit, por me golaverazh më të mirë. Betisi i vendit të tretë është vetëm 1 pikë më lart, por ka luajtur një ndeshje më shumë.
Barcelona: Ter Shtegen, Dani Alvesh, Arauho, Pike, Dest, Buskets, Pedri, Gavi (Frenk De Jong 66’), Adama Traore (Depai 82’), Obamejang (Luk De Jong 86’), Ferran Torres (Dembele 66’).
Sfidanti.al