Mbape arrin Ibrahimoviçin, “mëkat” të prishësh partneritetin me Mesin!

Një tjetër paraqitje madhështore, dhe një partneritet që nuk ka shok. Kilian Mbape ishte sërish një yll i madh për Paris SG, duke arritur një rekord golash, ndërsa bashkëpunimi i tij me Lionel Mesin po kthehet në një mirëkuptim me sy mbyllur. Sulmuesi 23-vjeçar, që mund të luajë për Realin sezonin e ardhshëm, shënoi dy gola në fitoren 3-1 në Ligën e parë të Francës ndaj Sent Etienit. Statistikat thonë se ai u barazua me legjendën Zllatan Ibrahimoviç, në kuotën e 156 golave, të lënë prapa vetëm nga rekordmeni Edinson Kavani me 200.

“Goli im i 156-të? Është pabesueshmërisht moment i veçantë, – tha 23-vjeçari, – Është fantastik edhe vetë fakti që pata mundësi të barazoja rekordin e një lojtari si Ibrahimoviç. Të gjithë e dimë se çfarë bëri ai këtu, pra kjo do të thotë se ne po luajmë me standardet e duhura. Edhe më e veçantë që këtë rekord e barazova në “Parkun e Princave”, para tifozëve tanë”. Mbape ka 14 gola dhe 10 asistë në Ligën e Parë këtë sezon, sepse e shërbeu gjithashtu një pasim goli ndaj Sent Etienit në rrjetën e Danilo Pereirës.

Gjithsesi, në këtë kuotë, ai është baraz me Lionel Mesin, që gjithashtu ka 10 asiste, madje duke luajtur gjysmën e minutave të francezit. Veterani 34-vjeçar është baraz me Trent-Aleksandër Arnoldin e Liverpulit në Premier Ligën angleze, dhe vetëm 4 asistë prapa Tomas Mylerit të Bajernit në Bundesligë, që është më i miri i sezonit në 5 ligat kryesore të Europës.  Kapiteni i Argjentinës tregoi nivel të jashtëzakonshëm edhe pse nuk shënoi. Përveç dy asisteve, ai pati 87 prekje topi, 6 pasime kyçe, 5 pasime të gjata, 3 driblime dhe 5 duele të fituar. Ai bëhet i pari lojtar në 5 ligat kryesore të Europës që mbërrin në 200 asiste.

Sfidanti.al