Bajerni kthehet i menduar nga Championsi në Bundesligë!

Siç e tha edhe Tomas Myleri, ndjenjat e bavarezëve janë të përziera, me dëshpërim dhe shpresë, veçse fati është me ta sepse fundjava sjell një përballje të “përballueshme” në “Alianc Arenë”. Në shtëpinë e Bajernit vjen i vogli Grojet Fyrt, dhe për më tepër vendasit do të kenë 5 000 tifozë më shumë në stadium, këtë herë 25 000! Nga Austria, pas barazimit 1-1 me Salcburgun, gjendjen e ekipit e përshkruajti shumë mirë veterani bavarez. “Komplimente Salcburgut, – tha Myleri duke komentuar ndeshjen që kaloi, – vuajtëm shumë, Salcburgu është shumë i mirë dhe atmosfera ishte e jashtëzakonshme. Por, edhe për ne duhet hequr kapelja në shenjë respekti sepse luftuam deri në fund”. Ndërkaq, kritikat për ekipin e trajnerit Nagelsman vazhdojnë, për Pavarin që ishte “tmerrësisht dobët”, për Zylen që po luan si Alaba me “një këmbë brenda, një këmbë jashtë”, porse të paktën me lavdërime të mëdha për Lykas Hernandezin. Francezi vazhdon të përmirësohet në mbrojtje. Xhoshua Kimih u ngrit në qiell si njeriu që bën gjithçka, dhe Kingsli Koman ishte njeriu i ndeshjes, me Mylerin e Levandovskin që morën notë “mjaftueshëm”. Për fat, Bundesliga ende nuk ka plej of dhe Bajerni mund të jetë më i qetë për konkurrencën shtëpiake.

Sfidanti.al