Turqit na mbajtën 500 vite, diktatura komuniste 50 vite, kjo loja me “demokracinë” ka kapërcyer 30 vitet, kurse futbolli , ishulli i vetëm ku mund të ishim të gjithë të barabartë, për fat, por që është shumë i zi, “feston” diktaturën prej më shumë se dy dekadash ! Pastaj, hajde të besosh përrallën me top se ka dritë në fund të tunelit.Apo, kur edhe në ditën e Shën Valentinit, në futboll më shumë se në çdo sport tjetër, këmbëhet urrejtje mes palëve dhe jo dhurata. S’bëhet fjalë për lule, por “plumba” shoqatash dhe gjykatash…që shkojnë mu në tule!
Pyetja e madhe nuk bëhet për frymën e shenjtë të futbollit, apo nëse do ta mbajmë gjallë apo jo, halli që na telendis më shumë është se me cilin diktator-dashnor do të flemë në krevatin e futbollit..për 4 vitet e ardhshme. Dhe “delet” e gjora të futbollit nuk kanë gojë për të folur, por kanë vetëm e vetëm një dorë prej allçiri të jeshilosur nga ngjyra e kartonit të votës. Dhe në një komunitet që me zellin e tij po bën harakirin më të gjatë, dy dekada,, për fat , edhe pse me pikatore, shfaqen edhe rebelë pikant, që thonë se ka ardhur koha për ndryshim! Dhe çfarë ndryshimi? Futbolli pa Dukën apo Duka pa futbollin? Ku ka Shen Valentin ne futboll…
Ndajduken të bekuar, sidomos në këto momente, bomberi i Kombëtares , Erion Bogdani, ish- trajner i Shpresave, i cili i pret në “besë”zyrtarët e FSHF –së, u duket si një blasfemues, kur nxjerr nga shpirti me shumë se nga goja, frazën e ndalur për brezin e tij : Ka ardhur koha për ndryshim në drejtimin e futbollit! Këtë frazë, që tingëllon plot vertetesi, por që mbetet utopike, e kishte thënë edhe Igli Tare, 4 vite më parë, ( këtë herë po luan në mbrojtje dhe jo si bomber) , por “demonët”e FSHF-së iu vërsulën për t‘ia mbyllur gojën. Edhe ish-trajneri Ardi Mema, i bëri një nder të madh Shoqatës së vdekur të Trajnerëve, kur del në ekran dhe thotë të vërtetën që po u plas shpirtin të gjithëve: presidentët nuk janë të përjetshëm, por e shumta të qëndrojnë 8 vite!
Sfidanti.al