Ishte mënyra më e mirë për të lënë pas katastrofën 2-5 ndaj Leverkusenit javën që vjen dhe për t’u përgatitur për duelin me Gllazgou Rejnxhërsin në Ligën e Europës. Borusia e Dortmundit fitoi 3-0 në Berlin ndaj Unionit, edhe pse nuk pati në ekip sulmuesin kryesor, Erling Haland. Marko Rojs shënoi dy gola dhe Rafael Gerrero shtoi të tretin. Dortmundi u tregua një skuadër shumë e pjekur këtë herë, e ndoshta trajneri Marko Roze po gjen formacionin e duhur, por edhe po i “mëkon” të vetët me mentalitetin që e bëri të shquar te Gladbahu.
Borusia mbajti topin 63 për qind, pati më pak gjuajtje sesa rivali (8 ndaj 9), por ishte shumë më e rrezikshme dhe më konkrete sepse 7 gjuajtje i pati në kuadrat nga të cilët 3 gola, duke i lejuar vetëm 2 goditje të tilla Unionit të Berlinit. Nuk ishte një fitore e thjeshtë sepse skuadra kryeqytetase është shumë e fortë në shtëpi, shumë krenare dhe askush nuk ia ka dalë thjesht me të. Diferenca me Bajernin tani është 6 pikë (46 ndaj 52), edhe pse diferenca është shumë e madhe në potencial dhe në përvojë, siç e tregon edhe golaverazhi, që bavarezët e kanë +45, ndërsa verdhezinjtë vetëm +21.
Dortmundi (4-2-3-1): Kobel, Akanxhi, Humels, Zagadu, Gerrero, Dahud, Vicel, Brant, Rojs, Belingham, Malen.
Sfidanti.al