Bostoni arrin fitoren e 8-të radhazi falë ndeshjes së madhe nga Tatëm

Të arrish kaq shumë suksese në një kalendar kaq të ngarkuar siç është ky në NBA, do të thotë që skuadra të ketë harmoni të madhe, të ketë shumë alternativa, por edhe që të ketë një lider. Tek Bostoni ky udhëheqës e ka emrin Xhejzën Tatëm, i cili pati një ndeshje të shkëlqyer ndaj Atlantës në fitoren 105-95 në shtëpi. Janë 8 fitore radhazi që i kanë dhënë “krahë” Bostonit për t’u ngjitur sa më lart në renditjen e Konferencës Lindore, aty ku për shumë dekada kanë qenë “zotër”. Tatëm shënoi 38 pikë, kapi 10 topa në tabela, shërbeu 3 asistë, bëri 1 vjedhje topi e 2 bllokime gjuajtjesh. Ai humbi vetëm dy herë topin, edhe pse bëri disa gabime në gjuajtjet për tri pikë (3 nga 10). Sëlltiksat e patën të vështirë sepse kishin në dispozicion vetëm 8 lojtarë, tepër pak në një ndeshje basketbolli, sidomos në NBA. Atlanta u tregua kundërshtar i denjë me Trej Jangun që shënoi 30 pikë e 10 asistë (gaboi shumë në gjuajtje) dhe Bogdan Bogdanoviçin që pati 26 pikë e 6 topa në tabela. Bostoni është ngjitur në vendin e 5-të në renditje në Lindje, dhe shpreson të jetë të paktën në plej of.

Sfidanti.al