Shqiptarët në Serinë A: Kuqezinjtë priten titullarë këtë javë

Futbollisti më i mirë i kombëtares këtë sezon në Itali, Nedim Bajrami do të jetë sërish në fushë që nga minuta e parë për Empolin. Mesfushori do të dirigjojë lojën e të vetëve për sfidën në shtëpi ndaj Kaljarit, duel që duhet fituar. Mbrojtësi i kombëtares, Ardian Ismajli është në stol ashtu si portieri Ujkani, por mesfushori i Shqipërisë U21, Kristijan Asllani pritet titullar.

Marash Kumbulla mendohet titullar sipas mediave italiane për duelin Sasuolo-Roma, ashtu si edhe Berat Gjimshiti për duelin e madh të së dielës mes Atalantës e Juventusit në Bergamo. Një duel për Champions dhe Atalanta do të hidhte një hap të madh përpara nëse do të fitonte.

Tek Lacio, Tomas Strakosha është zgjedhur të jetë titullar pasi ishte në stol në ndeshjen e kupës së Italisë të humbur 0-4 në fushën e Milanit, por Elseid Hysaj mund ta humbasë formacionin, sepse Laxari duket favorit për trajnerin Sarri. Kryeqytetasit kërkojnë reagim në ndeshjen e sotme të Serisë A ndaj Bolonjës në “Olimpiko” në 15:00.

Në kryendeshjen e javës, Napoli-Inter (sot në 18:00), Rrahmani jepet sërish që nga minuta e parë në fushë për vendasit. Një provë e madhe ndaj sulmit interist të përbërë nga Xheko e Lautaro Martinez, ose edhe nga Aleksis Sançez. Në sfidën tjetër të sotme (20:45), Torino-Venecia, portieri i kombëtares shqiptare Etrit Berisha do të jetë në stol, ndërsa lojtari i Kosovës, Vojvoda pritet titullar për vendasit. Së fundi, edhe Rej Manaj pritet titullar për Specian të hënën ndaj Fiorentinës.

Sfidanti.al