Nuk dihet nëse kjo modë do të përhapet edhe nëpër qarqet e tjera, por për Tiranën jemi përpara faktit të kryer. Gjykata e rrethit ka njohur Asamblenë e organizuar nga kryebashkiaku Erion Veliaj në Parkun Olimpik (ish-klubi Dinamo), që zgjodhi kryetar Eduard Prodanin, ndërsa thotë se nuk njeh Asamblenë e asaj Shoqate Rajonale të Futbollit të Tiranës, që zgjodhi për kryetar Krenar Alimehmetin, dhe që u mblodh në vendin më neutral të mundshëm, në … selinë e Federatës Shqiptare të Futbollit! FSHF u përgjigj se “do ta shikoni kur UEFA të vijë në Tiranë në 14 shkurt” dhe se “gjithkush ka të drejtë të krijojë shoqatë, por ajo shoqëatë nuk është pjesë e jona”. Tashmë, për kryeqytetin kemi dy shoqata futbolli, që na kujton luftën politike të viteve 90-të kur me nxitjen e PD-së së presidentit Berisha u krijua Balli Kombëtar Demokrat, për t’i bërë “hije” Ballit Kombëtar. Nuk e kemi të qartë nëse kjo që ndodhi në gjykatë është një lëvizje që ndryshon rrjedhën e lojës, apo është thjesht një manovër e kryebashkiakut për të mos u tërhequr “urtë e butë”. Ndoshta, edhe në këtë rast duhet të pyesim: Me kë janë ambasadorët?!
Sfidanti.al