Bajerni po kritikohet në Gjermani për Zylen, Krosin dhe … Mylerin!

Me të drejtë një media bavareze shkruan se gabimet e klubit me lojtarët nuk kanë qenë të vogla, por janë kaluar në plan të dytë për shkak të suksesit të madh në fushën e lojës. Përderisa Bajerni ka fitur në Gjermani, dhe disa herë edhe në Europë, kjo ka qenë temë kryesore për kopertinat dhe ballinat e lajmeve, ndërsa ato që cilësohen gafa me futbollistët sikur janë harruar. Tashmë, u kujtuan pasi u mor vesh që Niklas Zyle do të shkojë tek Dortmundi. Drejtuesve të Bajernit u kujtohet se ata bënë një gabim të tillë me Toni Krosin, që u largua për tek Reali me parametër zero, ashtu si Zyle tani.

Gjithsesi, kritika më e fortë ka të bëjë me mënyrën e sjelljes me Tomas Mylerin. Bajernit i kujtohet sesi deshi ta largonte sulmuesin kur trajner ishte Ançeloti, dhe u soll si “shemër” Hames Rodrigezi. Kjo manovër dështoi dhe ardhja e Jup Hajnkesit e ndihmoi Mulerin, por gjithsesi drejtuesit sollën edhe Filip Kutinjon për t’i futur “bërryla”. Sërish dështuan e sot të gjithë po flasin për Mylerin si për një legjendë, veçse as ai, as Nojeri dhe as Levandovski nuk i kanë rinovuar kontratat.

Sfidanti.al