Mund të dalësh i mundur, por të jesh krenar se bëre maksimumin. Napoli u përpoq të bënte pikërisht këtë, ndonëse tashmë do t’i duhet të “ngjisë një malore” që të kualifikohet ndaj Realit për në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve. Elseid Hysaj u detyrua të dilte me kokën ulur nga ajo që mund të quhet “Shtëpia e Mbretërve të futbollit”, apo “Shtëpia e Galaktikëve”.
Pavarësisht nga shpresat e skuadrës italiane, dhe pavarësisht nga biseda frymëzuese e një legjende si Diego Armando Maradona përpara ndeshjes në “Bernabeu”, asgjë nuk mund ta ndryshonte fatin e një ndeshje thuajse të paracaktuar. Madje, nuk e ndryshoi dot as gabimi i Kejlor Navasit që u bë bashkëpunëtor në golin e avantazhit të napolitanëve, realizuar nga Lorenco Insinje.
Gjithsesi, Reali nuk do ta kishte fatin e Barcelonës. Madridi po luante mirë edhe përpara sesa të pësonte, dhe shpejt u përgjigj. Karim Benzema, njeriu që shkëlqen në ndeshjet e mëdha, ishte ai që e qetësoi i pari trajnerin Zidan. Kritikat i kishin dhënë forcën e zemërimit dhe ai e gjeti golin e 51-të personal në Champions, në 89 ndeshje të luajtura. Ai kaloi Tieri Henrinë, dhe është francezi me më shumë rrjeta në këtë kompeticion. Kristiano Ronaldo mund ta kishte kaluar Realin në epërsi menjëherë, por nuk ia doli, me golat që u lanë pas pushimit. Tashmë, për Topin e Artë janë 523 minuta radhazi pa gol në Champions.
Pavarësisht nga potenciali i frikshëm i vendasve, Napoli pati guximin për të luajtur futboll dhe sulmoi, ndonëse pa mundur të rikuperonte. Në pjesën e dytë, fillimisht Toni Kros dhe pastaj Kasemiro me një gol të mrekullueshëm, siguruan epërsinë me dy gola diferencë. Napoli reagoi dhe Kajehon shënoi, por në pozicion jashtë loje, ndërsa madrilenët patën raste të tjerë me Hames Rodrigezin dhe Marselon. Tashmë, pritet ndeshja e 7 marsit për të mësuar nëse italianët do ta arrijnë përmbysjen.
Sfidanti.al