Natyrisht që pati një diskutim në radhët e bluve se kush do të ishte titullar në ndeshjen në fushën e Aston Vilës. Romelu Lukaku, lojtari për të cilin u paguan 115 milionë euro në verë për ta marrë nga Interi, dëshironte që të luante, aq më tepër pas kritikave se ka shënuar vetëm 4 gola këtë sezon, ndërsa trajneri Tomas Tuhel deshi të ishte i kujdesshëm. Belgu, që më herët ka qenë i dëmtuar, sapo ishte shëruar nga Kovidi dhe gjermani nuk deshi të rrezikonte.
Tuheli “fitoi luftën” në pjesën e parë, por u detyrua ta hidhte gjigandin belg në fushë pas pushimit, sepse ndeshja ishte në një ekuilibër të rrezikshëm. Risi Xhejms shkaktoi autogol dhe Zhorzhinjo barazoi me penallti. Sidoqoftë, 45 minutat e dyta ishin të Lukakut që shënoi gol me kokë dhe fitoi penalltinë tjetër, të kthyer në gol sërish nga Zhorzhinjo në minutën e tretë shtesë. “Trajneri ka arsyet e tij, por unë vazhdoj të punoj fort”, – tha Lukaku më pas. Ky ishte një lojtar i ndryshëm nga ai që luajti 45’ ndaj Uest Hemit. Tashmë, Çelsi do të ketë më shumë “fuqi zjarri” në sulm, ndërsa diferenca me Mançester Sitin kryesues mbetet 6 pikë.
Sfidanti.al