Do të jetë padyshim më e vështirë. Kombëtarja shqiptare pret sot fatin e saj në edicionin e radhës së Ligës së Kombeve, ndërsa shorti hidhet në orën 18:00 në Nion të Zvicrës. Pas një sezoni pozitiv të kaluar, në të cilin kuqezinjtë u ngjitën një kategori më lart, ata janë në ligën B, pra edhe rivalët e mundshëm do të jenë më të fortë. Nëse në 2020-2021, kishim në grup kundërshtarë të përballueshëm si Bjellorusinë, Lituaninë dhe Kazakistanin, këtë herë shkalla e vështirësisë është rritur. Shqipëria, logjikshëm ndodhet në vazon e katërt dhe të fundit, pra teorikisht do të jetë ekipi më i dobët në grup.
Në vazon e tretë ndodhet Serbia, pra ekipi i trajnerit Edi Reja mund të ketë një tjetër përballje me finalistët e Botërorit të Katarit, pas sfidave dramatike në eleminatoret në Euro 2016, ku ndodhi skandali me dronin dhe dhunën në Beograd, ku Shqipëria fitoi 3-0 në tavolinë, ndërsa Serbia fitoi 2-0 në “Elbasan Arena”. Bashkë me Serbinë në këtë vazo ndodhen Izraeli, Rumania dhe Irlanda.
Në vazon e dytë janë Finlanda, Norvegjia, Skocia dhe Rusia. Ndërkaq, rivalët më të fortë të mundshëm për kombëtaren do të jenë Suedia e Zllatan Ibrahimoviçit, Bosnjë-Hercegovina e Edin Xhekos, Ukraina dhe Islanda, që janë në vazon e parë. Ndeshjet në grupe luhen nga 2 qershori deri në 27 shtator të vitit të ardhshëm, ndërsa finalet në 14-18 qershor 2023.
Sfidanti.al