Shkëlqen Kërri, Golden Stejti i jep fund serisë së shkëlqyer të Feniksit

Këtë herë u luajt në “Shtetin e Artë” në Kaliforni, dhe Golden Stejti ishte ai që jemi mësuar që të jetë. Përballë Feniksit, u arrit fitorja bindëse 118-96, që do të thotë me 22 pikë diferencë, ndonëse Stefën Kërri nuk e pati përballë rivalin e tij kryesor, Devin Bukeri. Ky i fundit mbetet i dëmtuar, dëmtim që e pësoi që në ndeshjen e para pak ditëve mes dy ekipeve, kur Feniksi i shkaktoi humbjen e parë Golden Stejtit pas shumë ndeshjesh. Me suksesin e mbrëmshëm, ishin Uorriorsat që ndaluan serinë e Sansëve me 18 fitore radhazi, një rekord i klubit.

Kërri shënoi 23 pikë duke ndihmuar në sulm e në mbrojtje me 5 asistë e 5 topa në tabela, si dhe realizoi 6 kosha tripikësh. Ai është vetëm 28 kosha tripikësh larg rekordit të Rej Allenit për të gjitha kohët në NBA. Golden Stejti është ekipi më i mirë në NBA deri tani këtë sezon, në krye të Konferencës Perëndimore me 19 fitore e 3 humbje, ndërsa Feniksi është në vend të dytë në Perëndim me 19 fitore e 4 humbje.

Sfidanti.al