Bajrami i jep peshë sulmi Empolit që vazhdon spektaklin në Itali!

Sërish trajneri i tij Andreacoli e mbajti në stol në pjesën e parë. Është e kotë të ankohesh ndaj një tekniku që të ka mbajtur pranë si “bir” dhe për momentin të sheh më të përshtatshëm si zëvendësues. Gjithsesi, Nedim Bajrami nuk e ndjen peshën e stolit, por kur hyn në fushën e lojës i jep shumë peshë lojës sulmuese të Empolit. Kështu ndodhi edhe në ndeshjen e mbrëmshme në stadiumin e Torinos, që përfundoi me një barazim heroik 2-2.

Vendasit kryesuan deri në 2-0 me gola të Pobegës e Pjacës, por kartoni i kuq i Singos prishi ekuilibrat. Simone Romanjoli shkurtoi shifrat në pjesën e parë, ndërsa në 53’ hyri në lojë Bajrami në vend të Bandinelit. Shqiptarët e tjerë të Empolit, Ujkani, Ismajli dhe Asllani e kaluan ndeshjen në stol. Mediat italiane e theksuan ndikimin e Bajramit në lojën sulmuese të ekipit, si numri 10 pas dy sulmuesve. Pas fitores me Fiorentinën dhe barazimit në Torino, Empoli ka 20 pikë duke qenë në vend të 11-të, pra në mes të tabelës së Serisë A.

Sfidanti.al