Futbollit ç‘i panë sytë! Një gol i pastër i Kukësit, “shtypet” nga furgoni i VAR-it

Pyetja është e thjeshtë: pse u anullua goli i pastër si drita i Kukësit? U shënua në minutën e gabuar apo në pjesën e gabuar të ndeshjes ? Sa herë që e shikon aksionin e golit, të lë pa sens dremitja e madhe që erdhi nga “furgoni i futbollit”, aty ku mbajmë si me porosi, herë të gjallë e herë të vdekur, Sistemin VAR. Ajo që ngjau këtë javë, dëshmoi se ai gol i pastër, nuk pati jetë të gjatë sepse nuk e dëshironin as arbitrat e fushës e as ata të ..furgonit, në barkun e të cilit vegjeton teknologjia. Po ç’ishte ky sistem që u kurdis mirë vetëm ditën e parë, kur u hap dhe shampanja, dhe pastaj arriti kulmin e mëkatit në një ndeshje Skënderbeu-Laçi, ku presidenti Takaj hodhi një shpoti bekuese për tekno-fantazmën : ç‘është ky VAR që prishet kur Laçi shënon golin dhe rregullohet fill më pas..”

Goli i anulluar i Kukësit, do të kishte marrë peshën e merituar si ngjarje , nëse kuksianet do ta kishin barazuar apo humbur ndeshjen me Egnatian, por për fatin e mirë dhe të keq, ndodhi që vetë Kukësi e “harroi” shumë shpejt “magjinë e zezë’ të arbitrave. Ka zëra nga maviola se arbitrat e fushës nuk kishin pamje në atë moment ndërhyrje nga sulmuesi i Kukësit, por nuk thonë se cili i urdhëroi çunat e furgonit që të mbyllnin sytë dhe të bashkoheshin me tollovitjen e arbitrave të fushës.

Frika më e madhe që vjen nga ky rast, nuk është se kullufitëm edhe një gol tjetër të pastër , por , të lë pa fjalë dhe të befason se si po keqpërdoret VAR-i, brenda të cilit janë çunat që pasi bënë histori mëkati kur ishin në fushë, imagjinoni çfarë mund të sajojnë të mbyllur brenda një ..furgoni,,, që na kushtoi një djall e gjysmë.. 2 milionë euro!

Sfidanti.al