Ndoshta mund të jetë një moment kthese, por tani tani le të jetë koha për një festë të vërtetë. Një çlirim i jashtëzakonshëm për Partizanin që arriti më në fund fitoren e dytë në Abisnet Superligë, sërish duke vuajtur mjaft, dhe duke e bërë ndaj kampiones në fuqi, Teutës. Një gol i Tedi Carës në minutën e 96-të të ndeshjes fiksoi rezultatin 2-1, dhe të kuqtë patën nevojë për përmbysje. Siç ndodh shpesh, ekipi i trajnerit Ilir Daja mori gol i pari dhe shpenzoi energji pa fund për të barazuar. Kjo ndodhi vetëm në minutën e fundit të ndeshjes, ndaj edhe fitorja ngjan për mënyrën sesi u arrit me atë të Mançester Junajtidit ndaj Bajernit në finalen e Championsit në 1999.
Të dyja skuadrat patën mundësi të shënonin më shumë, por gabuan, mbetën edhe me nga 10 vetë sepse u përjashtuan për sherr Marku dhe Aleksi. Fitorja do të thotë se kryeqytetasit më në fund thyen tersin “Teuta”, si dhe tersin e barazimeve në kampionat. Tani, Partizani ka 12 pikë duke qenë për momentin vetëm 1 pikë larg vendit të tretë ku janë Vllaznia e Teuta. Kjo humbje, ndërkaq pati pasoja edhe më të mëdha për durrsakët, sepse trajneri Edi Martini deklaroi botërisht dorëheqjen, duke falenderuar klubin, lojtarët e tifozët, por duke thënë se merrte përgjegjësitë mbi vete.
Sfidanti.al