Barça do Vernerin dhe Kavanin, janë “petulla me ujë apo me vaj”?!

Nga një anë duhet të ruajë Usman Dembelenë sepse duket se po ia kërkon Njukasëlli, dhe nga ana tjetër duhet të luftojë për të ulur borxhin e tmerrshëm prej mbi 1 miliardë eurove. Barcelona po jeton një epokë çudirash, sikur të jetë një ëndërr e keqe, por një klubi kaq të madh nuk i lejohet të mos ketë projekte “grandioze”. “El Mundo Deportivo” informon se në “Kamp Nou” synojnë të marrin që në janar (ndoshta me huazim) Timo Vernerin nga Çelsi dhe Edinson Kavanin nga Mançester Junajtidi. Do t’u premtohet kohë për të luajtur, gjë që nuk po e sigurojnë sa duhet aty ku janë, ndërsa sa për paratë, ato do t’i marrin “kur të çlirohet vendi”. Gjithsesi, përtej problemeve financiare, dhe rrezikut për eleminim nga Champions, tek Barça po diskutohet nëse duhet një sulmues i rolit të numrit “9” apo një sulmues krahu!

Sfidanti.al