Ekipi i tij i shkaktoi Juventusit humbjen më të rëndë në Ligën e Kampionëve, dhe kjo pikërisht në ndeshjen e tij të 50-të jubilare në këtë stol. Tomas Tuhel është krenar për Çelsin e tij që fitoi 4-0 ndaj gjigandëve italianë në Champions, duke theksuar se Blutë janë tashmë të veçantë me kombinimin e lojtarëve të akademisë dhe yjeve të ardhur nga jashtë. “Ishte një ndeshje shumë e bukur, ashtu siç duhej të ishte ndeshja e 50-të, – tha trajneri gjerman, – një mentalitet i mrekullueshëm, përpjekje e shkëlqyer e djemve. Është diçka e madhe të shënosh kaq shumë ndaj një skuadre që di të mbrohet kaq mirë. Skuadra jonë është e veçantë sepse ka lojtarë të akademisë dhe yje të ardhur nga jashtë”. Tre gola u shënuan nga produktet e akademisë si Çalobah, Xhejms dhe Hadson-Odoi, ndërsa i katërti nga Timo Verneri. Lajmet e vetme të këqija ishin dëmtimet e Kantesë dhe Çiluellit që nuk dihet nëse mund të jenë të gatshëm për të dielën ndaj Mançester Junajtidit.
Sfidanti.al