Çelsi mund Juventusin në Champions si një lojë fëmijësh!

Përderisa Liverpuli arriti të thyente Barcelonën 4-0, përse Blutë e Londrës të mos e bënin këtë gjë me “Zonjën e Vjetër”? Padyshim që mund ta bënin, por nuk e kishin menduar se do ta kishin mundur 4-0 Juventusin në “Stemford Brixh”. Ia dolën sikur po luanin një “lojë fëmijësh”, jo sikur po përballeshin me një nga skuadrat më të famshme të Europës. Trajneri i italianëve, Maks Alegri, sikur e paralajmëroi kur tha se “do të jemi përballë kampionëve të Europës dhe kryesuesve të Premier Ligës”. Diferenca në fushë ishte tepër e madhe, ndërsa që të dyja skuadrat patën mungesa.

Anglezët me Lukakun në stol, pa Havercin e Kovaçiçin, ndërsa Verneri, Maunt apo Azpilikueta hynë vetëm si zëvendësues. Bardhezinjtë pa Kielinin, Danilon, Bernardeskin e De Shilion, ndërsa Dibala luajti vetëm 30 minuta. Tre lojtarë të Akademisë si Trevor Çalobah, Risi Xhejms dhe Kallëm Hadson-Odoi shënuan golat e parë për vendasit, ndërsa sulmuesi gjerman, Timo Verner vulosi shifrat 4-0 në minutën e 6-të shtesë. Natyrisht, nuk është fundi i botës, sezoni është i gjatë dhe Juventusi mund ta marrë veten, por këto shifra tregojnë diçka. Demonstrojnë se cila është diferenca mes Premier Ligës dhe Serisë A sot për sot, edhe pse Juvja është larg kreut, ndërsa Çelsi i pari. Blutë patën gjuajtjet 20-8, dhe ato në kuadrat 8-1 si dhe kornet 13-3.

Çelsi: Mendi, Çalobah, Tiago Silva, Rydiger, Xhejms, Kante (Loftus-Çik 38’), Zhorzhinjo, Çiluell (Azpilikueta 72’), Zijeç, Pulishiç (Verner 72’), Hadson-Odoi (Maunt 76’). Tr. Tuhel

Juventusi: Shezni, Kuadrado (De Vinter 81’), Bonuçi, De Ligt, Sandro, Rabio, Lokateli (Artur 68’), Betankur (Dibala 60’), Mekkeni, Kieza (Kulushevski 80’), Morata (Kean 68’). Tr. Alegri

Sfidanti.al