Përfundoi 0-0 në “Kamp Nou”, pavarësisht se u luajt thuajse me një portë, e pavarësisht se katalanasit bënë gjithçka mundën. Për fatin e tyre të keq, mrekullitë në futboll nuk ndodhin lehtë, as kur në stol vjen një legjendë si Ksavi Hernandez. Eleminimi në Champions është shumë pranë për Barcelonën, edhe pse matematikisht ka shpresa, dhe Ksavi le të synojë sukseset sezonin e ardhshëm, të paktën në këtë konkurrim. Barça mbajti topin 61 për qind, pati 12 gjuajtje ndaj 6 të Benfikës, 4 në portë ndaj 2 dhe kornet 6-3, pasimet 664-348 por goli nuk erdhi. Do të duhet një mrekulli, fitorja në fushën e Bajernit, ose që Benfika të mos fitojë ndaj Dinamos së Kievit, që katalanasit të kualifikohen.
Në ndeshjet e tjera, Mançester Junajtidi siguroi kualifikimin me fitoren 2-0 në fushën e Vijarrealit, por sidomos spikati triumfi madhështor i Çelsit 4-0 ndaj Juventusit në Londër në grupin H. Dy ekipet kanë nga 12 pikë, të kualifikuara, por Blutë londinezë janë në vend të parë. Atalanta tregoi karakter (ashtu si edhe Jang Bojsi) në barazimin 3-3 në Zvicër, dhe kualifikimi në grupin F mbetet i hapur.
Rezultatet
Grupi E: Dinamo K.-Bajern 1-2, Barcelona-Benfika 0-0. Renditja: Bajern 15, Barcelona 7, Benfika 5, Dinamo Kiev 1.
Grupi F: Vijarreal-Mançester Junajtid 0-2, Jang Bojs-Atalanta 3-3. Renditja: Man. Junajtid 10, Vijarreal 7, Atalanta 6, Jang Bojs 4.
Grupi G: Lilë-Salcburg 1-0, Sevilja-Volfsburg 2-0. Renditja: Lila 8, Salcburgu 7, Sevilja 6, Volfsburg 5.
Grupi H: Çelsi-Juventus 4-0, Malmo-Zenit Shën Peterburg1-1. Renditja: Çelsi 12, Juventus 12, Zenit 4, Malmo 1.
Sfidanti.al