Ishte padyshim më i miri nga tanët. Edi Reja nuk duhet të shqetësohet shumë për të ardhmen e sulmit të kombëtares, jo vetëm sepse ka Brojën apo Uzunin, por edhe sepse në radhë pret gjithashtu Xhakomo Vrioni. Sulmuesi 23-vjeçar ishte po ashtu më i miri i javës në Bundesligën austriake me 3 golat që shënoi për Tirolin. Ekipi i Vrionit triumfoi 5-1 ndaj Volfsbergerit duke shkaktuar një të papritur sepse rivali është në vendin e tretë në renditje, ndërsa Tiroli në vendin e katërt nga fundi. Futbollisti, kartonin e të cilit e ka Juventusi, realizoi në minutat 25, 62 e 85. Vrioni, 3 gola për Tirolin ndaj Volfsbergerit, 7 gola në kampionat, në vendin e 4-ët të renditjes së Këpucës së Artë, që kryesohet nga Adejemi i Salcburgut me 11.
Myrto Uzuni ndërkaq po vazhdon sezonin e jashtëzakonshëm në Hungari. Sulmuesi i kombëtares shënoi për 3-0 në 58’ në fitoren e Ferencvaroshit ndaj Fehervarit. Beratasi ka 6 gola në kampionat, 8 gola në Kupë, 4 gola në Champions dhe 2 gola në Ligën e Europës, në total 20 gola, ndërsa jemi ende në muajin nëntor.
Një edicion shumë i mirë edhe i Ernest Muçit në Poloni. Sulmuesi i Shpresave kuqezi realizoi për Legian e Varshavës në fushën e Gornikut të Zabrzes, që në fund fitoi 3-2. Muçi ka 3 gola në Superligën e Polonisë dhe një në Champions. Dejvi Bregu dhe Jurgen Bardhi, nga ana tjetër, shkëlqejnë në Ligën e Parë të Turqisë. Bregu realizoi dy gola për Bolusporin në humbjen 2-3 ndaj Erzurumsporit. Bardhi shënoi golin e vetëm, pra të fitores së Tuzlasporit në ndeshjen ndaj Gençlerbirligit.
Sfidanti.alqi