Badibillding, kampioni shqiptar Meksi fiton Kupën e Diamantit në Portugali!

Triumfin në Shqipëri e ka arritur me kohë. Po ashtu, është më i miri edhe në hapësirat mbarëshqiptare, por Marin Meksi nuk i ka vënë vetes kufij. Bodibilderi më i mirë shqiptar triumfoi në një turne të nivelit më të lartë të këtij sporti në nivel global, pikërisht në Ligën Botërore Profesioniste “Kupa e Diamantit” që u zhvillua në Portugali. Siç informon Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, dhe vetë kampioni, Meksi konkurroi në mes të 400 sportistëve të nivelit më të lartë nga gjithë bota. Ai u shpall kampion i kësaj Lige Profesioniste, në kategorinë “badibilldingu klasik për meshkuj”, ndërsa zuri vendin e katërt në kategorinë absolute të hapur të badibilldingut klasik. Pas një paraqitjeje të nivelit më të lartë, Meksi meritoi medaljen e artë dhe Kupën e Diamantit që i jepet çdo fituesi.

Kampioni shqiptar falenderoi edhe Federatat e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe ish-sulmuesin e kombëtares dhe të Dinamos, Edi Abazi, që jeton në Portugali. Aktivitetet e Kupës së Diamantit, zhvillohen në disa nga shtetet kryesorë në rruzull, të licencuar nga Federata Botërore e Badibilldingut, dhe mund të krahasohen me mitingjet e atletikës në “Ligën e Artë”, apo “Golden Ligë”. Sukses i madh për Meksin dhe për sportin shqiptar, ndërsa presidenti i Federatës Shqiptare të Badibilldingut, Rando Kukeli, shpreson që edhe në Tiranë të organizohet Kupa e Diamantit në të ardhmen.

Sfidanti.al