Tifozët e Durantit thërrasin: Stef Kërri, lojtari numër 1 i sezonit!

Edhe vetë heroi i momentit u habit nga ajo që i dëgjuan veshët. Publiku në Arenën e Nju Jorkut u ngrit në këmbë duke thirrur emrin e Stefën Kërrit, e duke e cilësuar si MVP, pra për t’u shpallur Lojtari më i mirë i sezonit. Kishin të drejtë sepse Kërri zhvilloi një ndeshje të madhe në fushën e Bruklinit, duke i dhënë fitoren Golden Stejtit 117-99. Një sukses i madh edhe falë 37 pikëve të numrit 30, ndërsa nga ana tjetër ylli kryesor i vendasve, Kevin Duranti, pati ndeshjen e tij më të dobët të sezonit.

Basketbollisti që udhëhoqi SHBA-në drejt titullit olimpik në Tokio, shënoi vetëm 19 pikë duke gabuar 13 nga 19 gjuajtjet. Në të kundërt, Kërri shënoi 9 nga 14 tripikëshat e provuar, si dhe kapi 7 topa në tabela, shërbeu 5 asistë, vodhi 2 topa e bllokoi një gjuajtje. E gjithë pesëshja e parë e Golden Stejtit ishte shumë e mirë, pasi Uigins shënoi 19 pikë, Pul 17 e Drejmond Grin 11 pikë. Xhejms Harden ishte më i miri për Bruklinin, me 24 pikë, por edhe ai gaboi shumë. Golden Stejti kryeson Konferencën Perëndimore me 12 fitore e 2 humbje, duke qenë ekipi më i mirë i sezonit në NBA, ndërsa Bruklini është i treti në Lindje me 10 fitore e 5 humbje.

Sfidanti.al