Pa Mesin? Pa problem! Argjentina pati fatin me vete ndaj Uruguajit në Montevideo!

Fatsjellësin nuk e patën në formacion, por nuk u prishi punë. Argjentina doli në fushën e Montevideos përballë Uruguajit pa kapitenin Lionel Mesi, e gjithsesi arritën të merrnin fitoren minimale 1-0 që praktikisht i kualifikoi për në Botëror. Ylli i Paris SG ishte i dëmtuar që kur u grumbullua në kombëtare, dhe trajneri Lionel Skaloni nuk deshi të rrezikonte, duke e aktivizuar vetëm në fund. Gjithsesi, mungesa e legjendës u kompensua nga fati që ishte bujarisht në krahun e argjentinasve. Uruguaji pati shumë më tepër raste dhe normalisht duhej të kishte fituar, por gaboi e u ndëshkua. Një gol vërtet i bukur i Angel Di Marisë, gjithashtu lojtar i Paris SG, vendosi fatin e sfidës në kryeqytetin uruguajan.

Pa Mesin në fushë, ishin Di Maria dhe Paulo Dibala që morën përsipër lojën sulmuese të Argjentinës. Kampionët e Amerikës së Jugut përballuan presionin e rivalit të tyre të përjetshëm që arriti të godiste edhe shtyllën me anë të Luis Suarezit. Me këtë sukses, u bënë 26 ndeshje radhazi pa humbje Tashmë, argjentinasve u duhet edhe një fitore për t’u kualifikuar për në Katar, ndërsa në ndeshjen e radhës presin Brazilin në Buenos Aires. Ata kanë 28 pikë, 6 më pak se Brazili, por mbi ndjekësin më të afërt, Ekuadorin. Uruguaji për momentin është i eleminuar, duke qenë në vend të gjashtë, ndaj duhet të përmbysë gjithçka në 5 ndeshjet e mbetura.

Sfidanti.al