Shtrimi ka përfunduar dhe bashkë me të edhe periudha e domosdoshme. Fusha e stadiumit të Kukësit mund të cilësohet e gatshme për të pritur një ndeshje futbolli, veçse në klubin verior nuk kanë siguri të plotë dhe nuk duan që të rrezikojnë. Burime në klub bëjnë me dijë se periudha 3-javore që i duhej barit për t’u lidhur ka kaluar dhe gjithçka mund të cilësohet normale, por problem në Kukës është klima e dimrit pasi moti është ftohur. Për këtë arsye, për të mos dashur të rrezikojnë, kuksianët do ta shtyjnë inaugurimin të paktën me një ndeshje futbolli.
Planet ishin për ta përuruar stadiumin me ndeshjen ndaj Tiranës në 20 nëntor, por gjasat janë që e gjithë stina e dimrit të kalojë pa futboll në “Zeqir Ymeri”. Drejtuesit e klubit, edhe pse duan që skuadra të kthehet sa më shpejt në shtëpi, janë shprehur privatisht se janë gati të presin deri në pranverë për të mos rrezikuar që të ndodhë ajo që ngjau me tapetin e “Arenës Air Albania” që pësoi dëmtime të mëdha, ndërsa u përurua në ndeshjen ndaj Francës. Kukësi ka luajtur për herë të fundit në stadiumin e tij, në maj të vitit 2018 kur trajner ishte austriaku Peter Pakult, dhe që nga ajo kohë i ka zhvilluar ndeshjet dhe stërvitjet larg qytetit.
Sfidanti.al