Vetëm një herë Bajerni ka marrë nota më të dobëta se në Gladbah

Turpi ishte i vërtetë dhe i plotë. Një skuadër si ajo bavareze u dorëzua pa kushte në fushën e Borusias së Mynshengladbahut duke u eleminuar nga Kupa pas humbjes 0-5. Revista “Kiker” thekson se në 28 vjet që kur ajo ka vendosur sistemin e notave për lojtarët, Bajerni ka qenë vetëm në një rast më dobët sesa këtë të mërkurë në Kupën e Gjermanisë. Në Gladbah, “Kikeri” vendosi notën 6 për dy lojtarë të mbrojtjes si Upamekano e Lykas Hernandez, ndërsa tre të tjerë morën 5.5 (Dejvis, Pavar, Kimih). Nota mesatare e Bajernit ishte 5.19, me kapitenin Nojer që mori 4. Vetëm në çerekfinalen e Championsit në 2009, Bajerni i Klinsmanit mori notë më të dobët se kjo, ndërsa u mund 4-0 në “Kamp Nou” nga Barcelona e Guardiolës, me dy gola të Mesit. Të katër lojtarët e mbrojtjes patën notën 6, ndërsa nota mesatare ishte 5.54. Në 2019, Bajerni mori notën mesatare 5.17 për humbjen 1-5 në Frankfurt dhe 5.12 në humbjen 2-5 ndaj Verderit në 2008.

Sfidanti.al