Trajneri i Sauthemptonit “qan” mungesën e Brojës: Ka cilësi të veçanta!

Deshi të provonte sërish një emocion të tillë kaq të fortë. Trajneri i Sauthemptonit, Ralf Hazenhytl, shpresoi që të përsëritej fitorja e madhe e vjetshme ndaj Liverpulit, por ndoshta një mungesë e rëndësishme e dënoi me eleminim ndaj Çelsit në Kupën e Ligës. Armando Broja, ai që po kthehet në sulmuesin kryesor të ekipit, nuk mundi të luante përballë kampionëve të Europës. Ylli i kombëtares shqiptare pësoi një dëmtim në ndeshjen e kaluar ndaj Bërnlit, ku shënoi gol në barazimin 2-2 në Premier Ligë, por po ashtu ishte i ndaluar nga klauzolat e kontratës së huazimit, për të mos luajtur ndaj ekipit që ka kartonin e tij. Trajneri i Sauthemptonit bëri një vlerësim të lartë të 20-vjeçari.

“Ne e dinim se ai nuk do të luante edhe po të mos kishte qenë i dëmtuar, – tha Hazenhytl, – tashmë, Armando është bërë i rëndësishëm për ne, pasi na siguron disa cilësi të cilat ne nuk kemi sesi t’i gjejmë ndryshe. Ai është i shpejtë, i rrezikshëm në duelet me kundërshtarët, ka cilësi të larta teknike dhe ka treguar shenja të mëdha të përmirësimit. Unë kam folur disa herë me të, dhe këto 3 javë ai është kthyer në një lojtar tjetër”.

Broja është një nga futbollistët e rrallë në Angli që ka shënuar 2 gola duke qenë vetëm 2 herë titullar për ekipin e tij në Premier. Ai renditet në vendin e 5-të në kampionatin anglez për numrin e goditjeve drejt portës në raport me minutat në fushë, diçka e madhe në ligën më të fortë të botës. Sauthemptoni shpreson që Broja të kthehet në fushë në ndeshjen e së shtunës në Premier në fushën e Uatfordit.

Sfidanti.al