Emrin e ka shumë të bukur, Paris, si kryeqytetin botëror të kulturës, ndërsa fuqinë po ashtu e ka të madhe, ashtu si edhe hallet. Gruaja e Tajson Fjurit ka kaluar shumë në jetën e saj ende jo shumë të gjatë, dhe nuk dëshiron që i shoqi të vazhdojë me udhëtimet, stërvitjet në palestra dhe ndeshjet e vështira e të rrezikshme. Pasi përballoi krizën e rëndë të varësisë së burrit të saj nga droga, kur shkatërroi karrierën dhe u bë mbipeshë, Parisi ia ka vënë “kufirin tek thana”. “Tajsoni ka edhe 2 vjet kohë për t’u marrë me boksin, – tha ajo, – nuk dua që im shoq të vazhdojë me këtë sport edhe pasi të kalojë 40 vjeç si bëri Vladimir Kliçko”. Fjuri është kampion i botës në peshat e rënda, por vetëm me një brez, ndërsa shpreson të ndeshet sa më shpejt me ukrainasin Oleksandr Usik (ose me sfidantin Entoni Xhoshua) për 3 brezat e tjerë të artë.
Sfidanti.al