Spaleti: Napoli, një skuadër e bashkuar, sa i fortë Osimhen!

Nuk ka mundur të fitojë shumë në karrierë, gjithsej 7 trofe, nga të cilat më të rëndësishmet në Rusi ku u shpall dy herë kampion me Zenitin e Shën Peterburgut. Flasim për Luçiano Spaletin që, pas mbi 930 ndeshjesh në stol si trajner, ka një shans për të fituar titullin edhe në Itali. Epokat me Romën dhe me Interin nuk rezultuan plotësisht të lumtura, edhe pse me kryeqytetasit mbahet mend për mirë, ndërsa tek Napoli gjasat janë të mbara. “Dita duket që në mëngjes” thotë populli, dhe po të jetë kështu Spaleti pritet ta fitojë më në fund “Skudeton”, që do të ishte historik, i pari për Napolin që nga viti 1990 pra nga ditët e lavdishme të Maradonës.

Spaleti ishte i lumtur edhe me fitoren e vështirë ndaj Torinos. “Ne jemi të fortë sepse jemi të bashkuar, – thotë ai, – kënaqësi të shohësh Insinjen e Politanon të ndjekin topin deri në mbrojtje. Edhe pse Insinje humbi penalltinë, sërish do të jetë ai që do t’i gjuajë. Njeriu i ndeshjes ishte Osimhen, vërtet një lojtar shumë i fortë”. Napoli ka 24 pikë pas 8 javësh, duke pasur 8 fitore radhazi, dhe golaverazhin pozitiv 19-3, më të mirë se të gjitha skuadrat e Serisë A deri tani, e duke nisur një shkëputje ndaj shumicës së rivalëve, me përjashtim të Milanit. Interi është 7 pikë prapa, Roma 9 pikë, ndërsa Lacio, Atalanta e Juventusi janë 10 pikë pas. A mund të thuhet se ky është sezoni i duhur?

Sfidanti.al