Një trajner padyshim shumë simpatik, një nga ata njerëz të futbollit që “mbjellin” kulturën e spektaklit në tokën e pragmatizmit, por ndoshta kjo mund të mos mjaftojë. Simone Inzagi pësoi një ndalim tronditës në një ndeshje të vështirë, në një duel direkt, aty ku shpesh dallohet karakteri i skuadrave. Interi i tij u mund 1-3 nga Lacio në “Olimpiko” dhe humbi terren, të cilin ndoshta nuk do të jetë në gjendje që ta rifitojë.
“Në 60 minuta ishim shumëm mirë, por ndeshjen nuk e mbyllëm dot dhe pastaj humbëm mendjen, – tha ai, – në golin e dytë bëmë gabimin e pafalshëm që lamë lojën, ndërsa gjyqtari nuk vërshëlleu. Mund të ndodhë kështu, të ndodhë që kundërshtari të vazhdojë lojën, ne duhet të jemi gati. Ky rezultat nuk duhej, në 1-2 duhej të ishim kapur fort dhe të merrnim të paktën barazimin”. Nuk dihet nëse Inzagi do ta ketë forcën e karakterit të ish-trajnerit Antonio Konte, që një sezon doli i dyti dhe në sezonin pasardhës fitoi titullin pas 11 vjetësh! Kjo kërkon diçka tjetër përveç futbollit të bukur, sepse Interi ka shënuar më shumë se të gjithë në Itali (23), por edhe ka pësuar shumë (11). Ndoshta, trajneri i ri ka nevojë për kohë sepse tek Lacio tregoi se di të jetë fitues.
Sfidanti.al